Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 11:11

Prishtinë – Në ditën e 18-të të grevës së veteranëve të luftës, sot do të bashkangjiten edhe veteranë të tjerë. Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, thonë se gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e keqësohet.

Grevës së 120 veteranëve të luftës së UÇK-së, do t’i bashkohen edhe rreth 200 veteranë të tjerë nga Kaçaniku, në mbështetje të kërkesave të tyre për miratimin sa më të shpejtë të ligjit për kategoritë e dala nga lufta. Sipas kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ky numër mund të arrijë deri në 1 mijë veteranë.

Sipas Qeriqit, gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e keqësohet. Edhe pse janë shumë pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, Qeriqi, tha se nuk kanë pasur takime me zyrtarë të qeverisë. Ish luftëtarët e UÇK-së janë të vendosur të mos tërhiqen nga greva deri në realizimin e kërkesës së tyre, për miratimin e ligjit për kategoritë e dala nga lufta.