Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 17:46

Prishtinë – Në ditën e parë të regjistrimit, anëtarë të Komisionit Komunal për regjistrim në Skenderaj, regjistrues e kontrollorë e kanë nisur punën e tyre me familjen Jashari në Prekaz, të cilët janë pritur nga Murat Jashari.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, shprehu mendimin se procesi i regjistrimit është shumë i rëndësishëm kur dihet fakti se nga viti 1981 nuk ka pasur regjistrim të popullsisë dhe të ekonomive familjare.

“Dihet se gjatë gjithë këtyre viteve e sidomos gjatë viteve të 90 dhe deri pasluftës, janë bërë shumë lëvizje të qytetarëve, qoftë në mërgatë apo edhe nëpër vende të ndryshme. Ka ndodhur edhe lufta dhe shkatërrimet e saj, andaj regjistrimi është jetik për rifillimin e një jete të re, për rifillimin e një shteti të ri”, ka thënë Jashari, duke shtuar se është e rëndësishme të dihet saktë numri i qytetarëve dhe ekonomive familjare.

Ai ka uruar që ky proces i rëndësishëm të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

Një ndër familjet e para që ua ka hapur dyert regjistruesve të popullsisë në komunën e Deçanit është edhe ajo Haradinaj, në Gllogjan. Kryefamiljari Hilmi Haradinaj, duke i mirëpritur regjistruesit, ka thënë se kanë pritur shumë mirë këtë proces të rëndësishëm për vendin.

“Pas pavarësisë së vendit, kjo është ngjarja e dytë më e rëndësishme për Kosovën, ngase pas tri deceniesh do të dihet për numrin e sakët të popullsisë dhe nivelin e zhvillimit”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kreu i komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.