Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 11:10

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës, të enjten, ka aprovuar paketën e projektligjeve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që rregullojnë funksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit të privatizimit në Kosovë.

Projektligji për Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, projektligji për Riorganizimin e Ndërmarrjeve dhe Pasurisë së tyre si dhe ai për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë aprovuar në këtë paketë legjislative.

Në mbledhje është aprovuar dhe vendimi për themelimin e Komisionit Kombëtarë të Sigurimit të Aviacionit Civil që del nga Plani i Veprimit për Partneritetin Evropian dhe është hap drejt krijimit të hapësirës së përbashkët të aviacionit civil.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të shpallë zonë të interesit të përgjithshëm kombëtar, zonën ku është zhvilluar Beteja e Koshares, nga Brigada 138, Agim Ramadani, në sipërfaqe prej 2488 ha, në komunën e Gjakovës.

Qeveria ka vendosur që të ndajë buxhetin për funksionalizimin e Ministrisë së Diasporës, e cila është një ministri e re.