Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 17:12

Prishtinë – Qeveria e Kosovës pritet të kërkojë dorëheqjen e krerëve të Postë-Telekomit dhe doganës, pasi EULEX-i ka ngritur aktakuzë për keqpërdorime ndaj tyre. Prokuroria speciale e Kosovës nën dyshimin për korrupsion ka ngritur aktakuzë për drejtorin e bordit të PTK-së Rexhe Gjonbalaj, drejtorin ekzekutiv Shyqyri Haxha si dhe pronarëve të kompanisë Devolli, Blerim e Shkëlqim Devolli dhe një personi tjetër. Po ashtu për korrupsion aktakuzë është ngritur edhe ndaj kreut të doganave Naim Huruglica. Burimet tona brenda ekzekutivit thonë se qeveria pritet t’u kërkohet dorëheqja Gjonbalajt, Haxhajt dhe Huruglicës.

Nëse gjykata përshpejton konfirmimin e aktakuzës ndaj krerëve të PTK-së dhe atij të doganave, qeveria do t’u kërkoj, sipas procedurave ligjore dorëheqjen Rexhë Gjonablajt, Shyqyri Haxhës dhe Naim Huruglicës.

Sipas të njëjtave burime aktualisht, përderisa zyrtarisht nuk është dhënë informacioni dhe nuk është konfirmuar aktakuza, nuk do të ketë veprime rreth pozicioneve të tyre. Aktakuza ngarkon shefin e bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalajn dhe drejtorin ekzekutiv Shyqyri Haxhën për lidhje të kontratave të dëmshme për PTK-në me kompaninë Devolli për rrjetin mobil virtual “Dardafon”. Ata akuzohen po ashtu për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi. Aktakuzë, gjithashtu për mashtrim dhe krim të organizuar është ngritur edhe ndaj pronarëve të kompanisë “Devolli”, Blerim e Shkëlqim Devolli. Ndërsa, drejtori i Doganave, Naim Huruglica dhe shefi i Zyrës Ligjore, Lulzim Rafuna dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim të autorizimeve ekonomike në një rast të importit të duhanit në dhjetor të vitit 2008.