Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 15:43

Prishtinë – Qeveria e Serbisë ka filluar të lëshojë edhe patentë shoferë për banorët serbë të Kosovës, ashtu siç kishte vepruar më parë me lëshimin e targave të automjeteve. Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se dokumentacionet të cilat lëshohen nga Serbia për banorët e Kosovës, do të konfiskohen nga policia.

”Sa u përket dokumentacioneve të cilat u epen qytetarëve të Kosovës prej çfardo autoriteti tjetër përveç autoriteteve të qeverisë së Kosovës do te konsiderohen jo valid edhe të njëjtat do të sekuestrohen. Kjo vlen edhe për të gjitha dokumentacionet qe u jepen qytetarëve serb në veri të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Zëdhënësi Hoti ka përmendur edhe raste të konfiskimit të targave të reja të lëshuara në Serbi për automjetet e banorëve të Kosovës me përkatësi etnike serbe. Konfiskimi është bërë me urdhërin e Ministirit Bajram Rexhepi, i cili pasoi pasi 180 serbë, banorë të Kosovës ishin pajisur me targa të automjeteve, lëshuar në Serbi.