Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 08:15

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbajtur të enjten takimin e parë me Këshillin Konsultativ për Komunitete. Kryesuesi i këtij këshilli Petar Miletiq ka thënë se ky ishte vetëm takim informativ, por në të ardhmen do të ketë takime në të cilat do të diskutohen problemet e pakicave.

Miletiq ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete që të bashkëpunojë me presidenten Jahjaga.

“Takimi i sotëm me presidenten ishte takim informativ, ishte një fjalë përshëndetëse nga ana e presidentes, por në të ardhmen do të kemi edhe më shumë takime me të dhe do të bisedojmë për shumë çështje që lidhen me jetën e komuniteteve në Kosovë”, ka thënë Miletiç.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga nuk ka preferuar të flasë pas këtij takimi të parë me komunitetet, për shkak të takimit që kishte me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, mirëpo Miletiq ka theksuar se presidentja ka shprehur interesim të madh që të punojë bashkërisht me Këshillin Konsultativ për Komunitete, në mënyrë që problemet e komuniteteve të shtrohen dhe të gjejnë zgjidhje.

Ai ka thënë se aktivitetet e fundit të këshilli kanë qenë të përqendruara në sistemin arsimor të komuniteteve pakicë në Kosovë.