Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 10:30

Prishtinë-Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në lidhje me protestat e paralajmëruar nga lëvizja Vetëvendosje në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, dy pika kufitare këto me Serbinë.

Urdhri operativ i quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë 2”, sipas policisë, qëllim strategjik ka sigurinë e përgjithshme dhe mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike; shtimin e masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje e fokusimin dhe garantimin në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut me qëllim të qarkullimit të lirë në rrugë si dhe moslejimin e vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare.

Policia e Kosovës, bën të ditur se do “t’i ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Policia e Kosovës përmes njoftimit për media iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që ”t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve”.

Policia e Kosovës po ashtu i është drejtuar përmes një shkrese qytetarëve, ku ka kujtuar obligimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe të drejtat e qytetarëve sipas ligjit për tubimet publike.

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë deklaruar të shtunën se do të protestojnë sot në dy pikat kufitare, meqenëse mocioni i iniciuar nga PDK-ja nuk është i qëndrueshëm, dhe si dokument që i referohet marrëveshjes së mëhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë, e cila nuk është ratifikuar në Kuvend të Kosovës, nuk mund të cilësohet si dokument në përputhje me Kushtetutën.