Lajme Shqip e Premte, 01 Qershor 2012 14:09

Prishtinë – Në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, Presidentja e Projektit për Marrëdhënie Etnike Livia Plaks tha se ndryshimi i kufijve në Ballkan do të ishte i rrezikshëm. Kosova ka bërë mjaft progres në pajtimin ndëretnik edhe pse sipas saj ende do të ketë ndërlikime në këtë aspekt. Ajo thotë se qytetarët duhet t`iu kthehen problemeve të përditshme përderisa për çështjen e veriut potencon faktin se duhet të ketë dialog me qytetarët atje por edhe Beogradin.

“Mendoj se duhet të ekzistojë dialogu midis Prishtinës dhe veriut pasi ata janë qytetarë të Kosovës. Por gjithashtu duhet të ketë bisedime midis Prishtinës dhe Beogradit sepse në të kundërtën nuk do të ketë zgjidhje për situatës në veri. Unë shpresoj se në një të ardhme të afërt zgjidhja do të arrihet”.

Në këtë intervistë Plaks flet edhe për incidentet e fundit ndëretnike në rajon. Ajo thotë se situatat e pazgjidhura sikurse ajo e veriut ndikojnë në vendet fqinje.

Pikërisht për këtë fakt do të ishte shumë i rrezikshëm edhe ndryshimi i kufijve. Pastaj, nuk ka dilemë se ekziston deficit i demokracisë në shumë vende të cilat ju i përmendet dhe për këtë arsye tensionet ndëretnike gjithmonë ndodhin kur kemi një situatë të tillë.

Plaks thotë se për të kërkuar arsyet e vazhdimit të incidenteve ndëretnike në Ballkan ndoshta duhet kthyer prapa në histori kur fuqitë e mëdha i ndanë këto vende kundër dëshirës së tyre. “Historia nuk e provoi se fuqitë e mëdha kanë pasur të drejtë në këtë. Ndoshta shumica e këtyre çështjeve tani janë vënë në sfond dhe shumë nga ato ende nuk janë zgjidhur dhe fatkeqësisht i takon gjeneratës suaj dhe njerëzve në të gjitha këto vende që t’i zgjidhin ato.” ka thënë Plaks. (LajmeShqip.com)