Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 16:59

Prishtinë – Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, në një pritje për zv/kryeministrin kosovar, Behgjet Pacolli, “ka shprehur gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që Republika e Nigerisë të vendosë sa më shpejt raporte të bashkëpunimit ndërshtetëror me Kosovën, duke theksuar se vendi që ai drejton, në një periudhë sa më të shkurtër kohore, do të marrë vendim për të njohur pavarësinë e Kosovës”.

Sipas njoftimit të dërgur sot nga stafi i zv/kryeministrit të parë të Kosovës, Pacolli ka vlerësuar lart gatishmërinë e Presidentit Jonathan që Republika e Nigerisë sa më shpejt t’u bashkohet vendeve demokratike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke krijuar kështu mundësinë që ky vend të vendosë raporte të bashkëpunimit ndërshtetëror me Nigerinë në fushën politike, ekonomike e kulturore.

Në një pritje shtetërore në Pallatin Presidencial në Abuja, Pacolli ka shprehur mirënjohjen e thellë për Presidentin e Nigerisë dhe për autoritetet shtetërore të këtij vendi për trajtimin me prioritet që po i bëjnë çështjes së Kosovës, duke krijuar hapësirë që të diskutohet për realitetin e ri demokratik në Kosovë dhe për të shprehur nevojën që ka vendi për njohje të reja.

Pacolli ka njoftuar Presidentin dhe zv/Presidentin e Nigerisë për zhvillimet demokratike në Kosovë dhe për angazhimet e institucioneve të Kosovës për zhvillim ekonomik, integrim dhe bashkëpunim me vendet e tjera.

Pas takimeve me Presidentin dhe zëvendëspresidentin e Nigerisë, zv/kryeministri Pacolli ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Nigerisë, dr. Martin J. Ukomoibhi, i cili, sipas njoftimit, ka shfaqur opinion pozitiv për njohjen e Republikës së Kosovës, duke shprehur në të njëjtën kohë kënaqësinë që për herë të parë në historinë e shtetit të tij, ka pasur rastin që të takoj zyrtarisht përfaqësues të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai është shprehur optimist se ky takim do të hapë rrugë në procesin e krijimit të raporteve të fuqishme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ministri Ukomoibhi ka garantuar se do të angazhohet bashkërisht me autoritetet e tjera të Nigerisë për të përshpejtuar procesin e formalizmit të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij.

Gjatë qëndrimit në Nigeri në kuadër të angazhimeve lobuese, Pacolli ka takuar edhe Kryetarin e Parlamentit të Nigerisë, njëherazi edhe Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme, Dr. Barnabas A.I. GEMADE.

Sot, zv/kryeministri Pacolli, në kërkim të njohjeve të reja për Kosovën, do të udhëtojë për në kryeqytetin e Marokut, Rabat.