Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 18:47

Prishtinë – Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, në ditën e nëntë të vizitës së tij në kontinentin Afrikan, në kuadër të angazhimeve për shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën, zhvilloi një vizitë në Mbretërinë e Marokos.

Gjatë kësaj vizite, Pacolli u takua me të emëruarin e Mbretit të Marokos për Politikë të Jashtme në Qeveri, Muhamed Azerëal, Nënkryetarin e Parlamentit, Dr. Sadudin El Uthmani dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të udhëhequr nga Shefi i Kabinetit dhe Drejtori Politik për Evropën Juglindore.

Pacolli informoi autoritetet e Marokos për situatën aktuale politike e ekonomike në Kosovë, duke vënë theksin tek zhvillimet demokratike dhe sfidat që ka kaluar vendi gjatë procesit të shtet-ndërtimit. Ai prezantoi para këtyre autoriteteve edhe rëndësinë që ka opinioni pozitiv i GJND-së rreth procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Nga ana e tyre, autoritetet përfaqësuese të Mbretërisë së Marokos theksuan vështirësitë që ka vendi i tyre për të proceduar me njohjen zyrtare të shtetit të Kosovës, veçanërisht për shkak të kontekstit politik me Saharën Perëndimore që ka të bëjë me refuzimin e Marokos për ta pranuar shpalljen e pavarësisë së asaj pjese.

Lidhur me këtë çështje, Pacolli ofroi argumentet e nevojshme për të dëshmuar se rasti i Kosovës është krejt i veçantë dhe këtë e dëshmon edhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.