Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 07:56

Prishtinë – Nxënësit e nivelit parauniversitar në vendin tonë, nga 365 ditë të vitit kalendarik, pushojnë mbi 200 ditë në vit, duke përfshirë pushimet dhe ditët e festave zyrtare.

Nga 365 ditë të vitit kalendarik, në arsimin parauniversitar në Kosovë mbahen 167 ditë mësim për nivelin parafillor deri në klasën e tetë, 154 ditë për nxënësit e klasës së nëntë deri në atë të 12 dhe 138 ditë mësimi për maturantë. Zëvendës ministri i arsimit, Nehat Mustafa, pranon se nxënësit kanë shumë ditë pushimi. Ai tha se ministria nuk mund të ndryshoj pushimet, pasi janë të përcaktuara me ligj.

“Shumica e pushimeve janë pjesë e ligjit të festave, dhe ministria e arsimit nuk mund dhe nuk ka të drejtë të mos i respektojë këto festa. Përkundër asaj që ne e kemi inicu si debat, që të shikohet mundësia se a mund të mos ketë ndërlidhje të festave ose zëvendësim të ditëve të festave nëse ato janë ditë të vikendit, por na është sugjeruar që këtë nuk mund ta ndryshojmë”, tha Mustafa.

Ndërkohë, Mustafa bëri të ditur se Korniza e Kurrikulumit të Kosovës e parasheh zgjatjen e ditëve të mësimit për rreth 40 ditë. Në Kosovë, gjatë një viti shkollor festohen tetë festa të parapara me ligjin për festat zyrtare. Në bazë të kalendarit mësimor për arsimin parauniversitar gjatë një viti, nxënësit kanë gjithsej tre pushime, ai dimëror, i cili zgjatë 14 ditë, pranveror, 7 ditë si dhe pushimi veror dy muaj e dhjetë ditë për nxënësit e nivelit parafillor deri në klasën e tetë. Ndërkohë, nxënësit e klasës së nëntë deri në klasën e dymbëdhjetë e kanë pushimin veror rreth tre muaj, derisa maturantët e përfundojnë mësimin më 13 maj për shkak të provimit të maturës.