Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 10:37

Prishtinë – Pa numrin 61 e më shumë të deputetëve, në mungesë të opozitës, punimet e seancës së  Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh u mbyllën sot që në fillim pas ndërprerjes dje pasdite për të njëjtin shkak.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha pak më parë se “kjo na obligon që sot ta mbyllim seancën, por për hir të së vërtetës duhet të them edhe një herë se opozita duhet ta arsyetojë daljen nga salla, pasi asnjë proçedurë nuk është shkelur”.

Dje, pas miratimit të Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës me 42 vota pro, 38 kundër, 3 abstenime, në vazhdimin e seancës pasdite, grupet parlamentare të opozitës, LDK, AAK e Vetëvendosje braktisën mbledhjen për shkak se, siç deklaruan, në Kuvend po miratohen ligje të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndërsa kishin vërejtje edhe për procedura.