Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 14:41

Prishtinë – Shërbimi i noterisë do të zvogëlojë numrin e lëndëve në Gjykata dhe do të ndihmojë qytetarët. Kështu tha kryeministri Hashim Thaçi gjatë shpërndarjes së certifikatave për ata që u licencuan për noterë.

Noterët e parë të licencuar morën përkrahje nga qeveria dhe institucionet e drejtësisë për krijimin e kushteve për punë. Kryeministri Hashim Thaçi u tha atyre se me punën që do të bëjnë do të ndihmojnë qytetarët e Kosovës si dhe do të zvogëlojnë numrin e lëndëve nëpër Gjykata.

Gjeneratat e ardhshme të noterëve, sipas kryeministrit Thaçi, do të trajnohen në kuadër të Akademisë së Drejtësisë, e cila pritet të themelohet së shpejti.

Noterët do të ofrojnë shërbime profesionale të shpejta për qytetarët e Kosovës tha, ndërkaq, zëvendëskryeministri e ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili kërkoi punë profesionale nga noterët.

Shërbimi i noterisë është shërbim juridik dhe publik që e ka për qëllim mbrojtjen e interesave të ligjshme të personave fizik dhe juridik në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kështu, kontratat që kanë të bëjnë me patundshmëritë, autorizime të ndryshme dhe dokumente tjera të cilat janë vërtetuar në Gjykatë, prej tash mund të bëhen në zyrat e noterisë.