Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 11:30

Prishtinë 6 mars – Sot, në ditën e dytë të manifestimit “Epopeja e UÇK-së, në program janë homazhet te Kompleksi Memorial i “Adem Jashari” në Prekaz, te varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë dhe ajo e Mujë Krasniqit në Klinë.

Epopeja e UÇK-së bashkoi të gjithë popullin shqiptar për t`u çliruar nga okupimi shekullor. Kështu u shpreh kryeministri Hashim Thaçi pasi bërë homazhe pranë shtatores së heroit të kombit Zahir Pajaziti. Ai tha se në këtë ditë po nderohen të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe kjo Epope sublimon vlerat kombëtare të popullit shqiptar.

“Sot jemi këtu duke nderuar dhe respektuar në mënyrë shtetërore një prej komandantëve më të shquar të UÇK-së Zahir Pajazitin, i cili me luftën, punën, sakrificën dhe heroizmin e tij, dërgoj mesazh tek të gjithë se pa luftë të armatosur nuk mund të çlirohet Kosova”, tha Kryeministri Thaçi.

Nderimi i dëshmorëve të UÇK-së, përçon mesazhin e marrjeve të energjive të reja për të ardhmen e vendit, duke e integruar Kosovën në BE, tha ndër të tjera kryeministri i vendit.

*************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 5 Mars, 17:20) Duke përshëndetur fillimin e manifestimit treditësh gjithëpopullor tradicional  “Epopeja e UÇK-së”, sot në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, familja e Komandantit Legjendar Adem Jashari bëri thirrje për unitet.

Në emër të familjes heroike nga Prekazi, Bekim Jashari, duke përshëndetur të gjithë të pranishmit në manifestim dhe qytetarët e vendit, përkujtoi se “populli ynë sot 14 vite më parë ishte në luftë, Kosovën e kishte kapluar tumi dhe flaka, por ishim bashkë, e ndihmuam njëri-tjetrin, që ne sot të gëzojmë lirinë”.

“Atëherë, vallë ne sot pse duhet kaq vështirë ta kemi që të jemi bashkë, ta duam njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, që ta çojmë këtë vend përpara, ta bëjmë shtet të fortë, konkurrent me shtetet tjera”, theksoi djali i heroit Hamëz Jashari.

Më 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

*************************

Prishtinë (PLOTESUAR 5 Mars, 14:30)-Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Isa Mustafa dhe anëtarët e Kryesisë bënë sot homazhe dhe vendosën kurora me lule te varri i Komandantit Adem Jashari, me rastin 14-vjetorit të qëndresës së tij heroike në Prekaz të Skënderajt.

“Adem Jashari dhe të gjithë të rënët e tjerë të Familjes Jashari janë heronj të të gjithë Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Ata u flijuan për idenë e madhe të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës dhe si të tillë do të nderohen e do të kujtohen përgjithmonë nga populli dhe institucionet e Kosovës”, tha Kryetari i LDK-së,  Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në familjen Jashari.

Mustafa ritheksoi se LDK-ja dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovën shprehin admirimin e plotë për veprën e Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, të cilët dhanë një shembull të rrallë të sakrificës për çlirimin e atdheut.

*************************

Prishtinë (PLOTESUAR 5 Mars, 13:00) Në Kosovë filluan sot në mesditë ceremonitë e treditore të manifestimit gjithëpopullor tradicional “Epopeja e UÇK-së”, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve më të larta dhe përfaqësuesve të Familjes Jashari nga Prekazi.

Në manifestimin e hapur me Himnin Kombëtar dhe Himnin e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi theksoi pak më parë se “14-vjetori i ‘Epopesë së UÇK-së’ përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar.

“13 vjet në Kosovën e lirë dhe 4 vjet në Kosovën e pavarur janë të pamjaftueshme për realizimin e të gjitha ëndërrave, por të mjaftueshme për të treguar vendosmërinë dhe vullnetin për të krijuar insitucione të përgjegjshme, shoqëri bashkëkohore dhe shtet modern europerëndimor”, u shpreh Thaçi.

Manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, (5, 6 dhe 7 mars) organizohet nga qeveria në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Heroike Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe popullit tonë, me moton “Nderojmë të kaluarën -ndërtojmë të ardhmen”.

Manifestimi i filluar me ceremoninë kryesore në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, vazhdon me një program kulturor-artistik nga ansamblet dhe këngëtarët e njohur të estradës dhe të ansamblit “Shota”.

Nesër, më 6 mars, do të bëhen homazhe te Kompleksi Memorial i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, nga ora 10:00 -12:00.

Ndërsa, në orën 18.00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet Akademia Përkujtimore, kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Akademia do të ketë edhe një program artistik nga Filarmonia e Kosovës.

Më 7 Mars, në ora 18.00, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve” ku do të ndizen pishtarët simbol i luftës dhe sakrificës për liri, si dhe në të gjitha vendet ku janë zhvilluar betejat e UÇK-së në Kosovë.

Ndërsa programi kulturor-artistik, do të mbahet në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. Më 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

*************************

Prekaz (PLOTESUAR 5 Mars, 12:35) Homazhet në Komplekisn memorial “Adem Jashari” në Prekaz filluan sot që në orët e para të mëngjesit.

Në 14 vjetorin e rënies së komandnatit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës sublime të jasharëve, ndër të parët homazhe bëri kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Ai tha se 5 marsi është ditë më e shënuar për historinë e popullit të Kosovës, ndërsa Prekazi si një vend i shenjtë.

Homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari bëri edhe delegacioni i AAK, i kryesuar nga nënkryetari Ahmet Isufi. Jasharët dhe Prekazi janë frymëzim për të gjithë qytetarët e Kosovës, tha me kete rast Isufi.

Si kryeparlamentari Krasniqi ashtu edhe nënkryetari i AAK-se Isufi, vizituan më pas familjen Jashari dhe u priten nga Murat e Lulzim Jashari.

Ndërkohë homazhe tek varrezat po bëjnë edhe qytetarë, nxënës, studentë e delegacione të ndryshme nga gjithë Kosova.

****************************

Prishtinë (PLOTESUAR 5 Mars, 11:45) Manifestimi nisi në orën 11 në Prishtinë me parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa vazhdon nesër me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, kurse përmbyllet më 7 mars me “Natën e Zjarreve.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet për vizitë në SHBA, i është drejtuar me një telegram familjes Jashari, me rastin e përvjetorit të betejës së lavdishme të 5 marsit 1998.

Në telegram ndër të tjera thuhet se përkushtimi i heronjve dhe atdhedashuria, mbesin udhërrëfim për ne. Ata janë bazament i shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë sot homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz si dhe ka vizituar  familjen Jashari.

Me rastin e 14-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prekazin sot do ta vizitojnë edhe zyrtarë tjerë të institucioneve si dhe subjekteve të ndryshme politike.

 ***************************

Prishtinë- Në Kosovë nga dita e sotme përgjatë tre ditëve, 5-7 mars do të nisë manifestimi gjithëpopullor tradicional “Epopeja e UÇK-së”.

Manifestimi organizohet nga qeveria në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes heroike Jashari, dëshmorëve të kombit dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me moton “Nderojmë të kaluarën -ndërtojmë të ardhmen”.

Manifestimi do të nisë me ceremoninë kryesore më 5 mars në orën 11:00 në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, një program kulturo-artistik nga ansamblet dhe këngëtarët e njohur të estradës dhe të ansamblit “Shota”.

Sipas axhendës, në të do të flasin komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i Familjes Jashari.

Më 6 mars do të bëhen homazhe te Kompleksi Memorial i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, nga ora 10:00 -12:00, ndërsa në orën 18.00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet Akademia Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit si dhe një program artistik nga Filarmonia e Kosovës.

Më 7 Mars, në ora 18.00 në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve” ku do të ndizen flakadanët simbol i luftës dhe sakrificës për liri edhe në të gjitha vendet ku janë zhvilluar betejat e UÇK-së në Kosovë. Ndërsa programi kulturo-artistik, do të mbahet në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Më 5, 6 e 7 mars 1998 në Epopenë e Prekazit në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari. (LajmeShqip.com)