Lajme Shqip Sunday, 19 June 2011 13:01

Prishtinë – Në kryeqytetin e Kosovës, nesër fillon ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë, me ceremoninë e vënies së gurthemelit në lagjen Prishtina e Re.

Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi do të bëjë inaugurimin e vënies së gurthemelit, për ndërtimin e të cilit Qeveria e Kosovës dhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian nënshkruan para rreth një muaji dy kontrata pune.

Komisioni Evropian ka premtuar mbi 25 milionë euro për realizimin e këtij projekti, tha me atë rast Kjartan Björnsson, shef i Operacioneve në Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.

Ndërsa, zv/kryeministri e ministri Kuçi theksoi se ligji dhe rendi janë prioritet i Kosovës dhe se do të ndërtohet një sistem i standardeve Evropiane, përmes së cilit kredibiliteti i ligjit dhe drejtësisë do të rritet.

Zona e Pallatit të Drejtësisë është përcaktuar rreth katër kilometra prej qendrës së Prishtinës. Infrastruktura e re do të lejojë që institucionet kryesore të drejtësisë, duke përfshirë edhe ato që janë të shpërndara në të gjithë Prishtinën, të vendosen nën të njëjtën çati.