Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 15:09

Prishtinë – Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Kosovës, ka publikuar të përmbledhjen e pesëdhjetë vendimeve kryesore të kësaj gjykate, që kanë të bëjnë me çështjet pronësore. Drejtuesit e këtyre institucioneve vlerësuan se ky buletin do të jetë material i mirë për karrierën profesionale të gjyqtarëve në nivelet më të ulëta, ndërsa është theksuar se ende ka mungesë të gjyqtarëve që merren me zgjidhjen e lëndëve civile.

Duke rikujtuar rrethanat e ndërlikuara të pasluftës në punën e institucioneve të drejtësisë dhe gjyqësisë, kreu i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, e ka vlerësuar të domosdoshme ndërtimin e një literature juridike, e cila do t’u shërbente gjyqtarëve në karrierën e tyre profesionale si gjyqtarë.

Kurse zv/shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Eduard P. Joseph, tha se mirëpret përdorimin përmbledhjes së disa prej vendimeve të Gjykatës Supreme, pasi kjo do të ndihmonte gjyqtarët profesionalisht.

“Ne mendojmë se kjo përmbledhje do t’i ndihmojë gjyqtarët e ndryshëm që të kuptojnë më mirë praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme në zgjidhjen e këtyre çështjeve, posaçërisht në gjykatat dhe gjyqtarët e shkallëve më të ulëta. Posaçërisht kjo do të duhej t’u hynte në punë gjyqtarëve të sapoemëruar, sidomos atyre të Gjykatave Komunale dhe Gjykatave të Qarkut”, ka theksuar ai.

Më tej, Joseph bëri të ditur se misioni i OSBE-së në Kosovë do t’i shpërndajë këto përmbledhje në gjykatat komunale dhe të qarkut në tërë Kosovën dhe do të përkrah trajnimet e gjyqtarëve.

I pyetur nëse është plotësuar vakuumi i gjyqtarëve të cilët merren me çështje pronësore, në procesin e riemërimit, kryegjyqtari Hasani ka pohuar se Gjykata Supreme aktualisht është në deficit të gjyqtarëve të cilët merren me zgjidhjen e lëndëve të kësaj natyre.

Ai ka bërë të ditur se ky institucion së shpejti do të emërojë edhe gjashtë gjyqtarë, dy nga të cilët do të jenë nga radhët e minoriteteve.

Ndryshe, kjo përmbledhje e publikuar përmban 50 vendime të përzgjedhura të Gjykatës Supreme të Kosovës, të shtypura në gjuhën shqipe dhe serbe, kostoja financiare e së cilës kap shumën prej katër mijë eurove. Kjo mendohet se do t’iu ofrojë gjykatësve të gjykatave të niveleve më të ulëta një burim me vendimet e mëparshme të Gjykatës Supreme, gjë që do t’i rrisë njohuritë dhe përvojën e tyre si dhe do të kontribuojë në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave pronësore për të gjitha komunitetet në Kosovë.