Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 11:56

Prishtinë – Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka hartuar një dokument për “Vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera”, që vlerësohet si shumë i rëndësishëm për këtë komunë. Zyrtarët komunalë thanë sot se ky është një dokument ku janë përmbledhur rreziqet me të cilat mund të përballet Mitrovica.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se për përgatitjen e këtij dokumenti ka punuar një grup prej 18 vetash për 2 muaj rresht, ndërkohë që e gjithë puna për finalizimin e tij ka zgjatur rreth 6 muaj.

Ai tha se në këtë dokument janë përfshirë të gjitha rreziqet natyrore, mandej ato teknologjike, epidemiologjike, infrastrukturës kritike, etj.

Bala theksoi se në përgjithësi, ndër rreziqet kryesore që janë identifikuar për Mitrovicën, janë vërshimet, zjarret si dhe materialet e rrezikshme, që kanë mbetur nëpër depo të ndryshme në territorin e komunës nga ish-ndërmarrjet e “Trepçës”. “Nga përvoja e viteve të kaluara, mandej duke u bazuar në pozitën gjeografike etj, është konkluduar se vërshimet, zjarret dhe materialet e rrezikshme mbeten rreziqe të përhershme për Mitrovicën”, tha ai.

Sipas zyrës së shtypit të komunës, në këtë dokument janë përfshirë edhe rreziqet që janë identifikuar në veri të Mitrovicës.

“Duke qenë se në veri ende nuk kemi një komunë legale, ne e kemi përfshirë gjithë territorin e Mitrovicës në këtë dokument”, sqaroi Bala.

Ai tha se “tani do të nisim punën për hartimin e ‘Planit për reagim’, që është rrjedhojë logjike pas hartimit të dokumentit për vlerësimin e rreziqeve, me çka do të krijohet një bazë e mirë që ka të bëjë me sferën e mbrojtjes dhe shpëtimit për qytetarët e Mitrovicës”.