Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 20:55

Prishtinë – Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, priti sot një delegacion të lartë ushtarak të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), së Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Gjeneral Brigade Agim Lala.

Sipas burimeve nga FSK, nga të dy palët u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes të dy institucioneve. Ministri Çeku vlerësoi angazhimin e KDS, të oficereve dhe stafit akademik të saj, në shkollimin e kuadrove të FSK-së.

Po ashtu, Gjeneral Brigade Agim Lala e vlerësoi lart bashkëpunimin e ndërsjellë, si edhe shkëmbimin e përvojave. Gjeneral Lala u shpreh i entuziazmuar me punën e stafit të lartë të FSK-së, sidomos me angazhimin në zhvillimin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të FSK-së.

Delegacioni i lartë ushtarak i KDS- së të Ushtrisë së Shqipërisë, zhvilloi një vizitë edhe në Komandën e Forcave Tokësore (KFT) të FSK-së, si edhe në Qendrën e Studimeve Universitare të KDS-së së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kjo ishte dita e dytë e vizitës së delegacionit të KDS-së së Ushtrisë shqiptare në FSK. Dje ushtarakët shqiptarë vizituan Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, ku u pritën nga Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, ndërsa nesër pritet që të vizitojnë Prekazin historik, vendlindjen dhe vendin e luftës dhe të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari.