Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 12:36

Prishtinë – Në ditën e 22-të të grevës së veteranëve të luftës, sot i janë bashkangjitur edhe veteranë të tjerë. Por, ende nuk është marrë ndonjë vendim ashtu siç ishte paralajmëruar, për rrjedhën e mëtejshme të grevës. Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, bënë të ditur se është rritur numri i grevistëve, duke iu bashkangjitur grevës edhe veteranë të tjerë nga vende të ndryshme. Kryetari i Këshillit, Xhevdet Qeriqi, tha se numri i grevistëve tashmë ka kaluar mbi 100, në mbështetje të kërkesave të tyre për miratimin sa më të shpejtë të ligjit për kategoritë e dala nga lufta.

Ashtu siç është paralajmëruar ditë më parë, për ndryshimin e rrjedhës së grevës, veteranët ende nuk kanë marrë ndonjë vendim. Sipas Qeriqit, gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e keqësohet. Ish luftëtarët e UÇK-së janë të vendosur të mos tërhiqen nga greva deri në realizimin e kërkesës së tyre, për miratimin e ligjit për kategoritë e dala nga lufta.