Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 08:42

Prishtinë -Ligji për Vlerat e UÇK-së arrin në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit qershor dhe do të miratohet në afat sa më të shkurtër ligjor, tha sot kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Sipas komunikatës zyrtare pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka pohuar se nuk ka asnjë kontestim të institucioneve të vendit dhe të atyre ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, për miratimin e këtij ligji, sepse ai nuk presupozon ndonjë kosto të madhe financiare, prandaj në këtë vështrim nuk ka arsye për greva e protesta të veteranëve të UÇK-së.

Krasniqi është shprehur ndërkaq se, veteranët e luftës çlirimtare janë të mirëpritur në çdo kohë në takim me Kryesinë e Kuvendit. Ai ka pohuar se më vonë duhet të nxirret një ligj i veçantë për përcaktimin e numrit të veteranëve të UÇK-së, të cilët duhet të mbështeten financiarisht, e që do të ketë kosto të konsiderueshme të implementimit.