Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 21:35

Prishtinë – Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në parim në seancën e sotme plenare projektligjin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës.

Gjatë prezantimit nga zv/kryeministri Bujar Bukoshi dhe shqyrtimit u përkrah projektligji, me të cilin njihet edhe komuniteti malazez si dhe ai kroat në Kosovë.

U theksua se me këto përcaktime këtyre komuniteteve do t’u jepet mbrojtje kushtetuese, që do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi e Kroacisë.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme, e cila ka vazhduar edhe pasdite, miratoi në parim edhe disa projektligje të tjera, mes të cilëve projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për verërat, atë për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palëve të treta dhe projektligjin për përdorim civil të eksplozivëve.