Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 11:55

Prishtinë – Puna e Qeverisë së Kosovës për 100 ditët e para, ka përplasur edhe në Kuvendin e Kosovës pozitë-opozitë.

Aleanca për Ardhmërinë e  Kosovës nëpërmjet shefit të Grupit Parlamentar, Ardian Gjini, ka kërkuar sot në Kuvendin e Kosovës që kryeministri Hashim Thaçi dhe tërë kabineti qeveritar të japin dorëheqje për shkak se ka dështuar dhe po i dërgon qytetarët në një gjendje tepër të rrezikshme.

Gjini ka numëruar disa nga dështimet e qeverisë e, sidomos, prishjen e marrëveshjes më Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamzaj, në replikën e tij me deputetin Gjini shpjegoi se asnjë çështje e ngritur apo akuzë nuk është e vërtetë.

Ministri Hamzaj numëroi të gjitha pikat  që kanë të bëjnë me financat dhe tha se Kosova në asnjë rast nuk ka dështuar. Edhe sa i përket FMN-së ai tha se grantet e humbura kanë qenë kredi e jo donacione.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot po shqyrton për herë të parë disa nga projektligjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, atë për Akcizën në produktet e duhanit e të tjera.