Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 10:40

Prishtinë, Prizren – Në 133-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Aleanca Kuq e Zi, organizon në Prizren panelin “Sfida shqiptare”, në të cilën do të marrin pjesë akademikë, intelektualë, historianë e figura të shquara të kombit nga të gjitha trevat shqiptare.

Siç transmetojnë mediat kosovare, sipas paralajmërimit, në këtë panel marrin pjesë Kreshnik Spahiu me “Një komb, një gjuhë, një histori, një të ardhme”, Esat Stavileci me “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe të drejtat e shqiptarëve”, Kim Mehmeti me “Të mendojmë kuqezi! Mbi partitë politike”, Parim Kosova “Integriteti tokësor dhe mbrojtja e interesave kombëtare”, Lorik Cana “Nuk shitet Shqipëria! Nuk ndërrohet kombësia!”, Mehmet Kraja “Kultura, arti, letërsia shqiptare dhe mbrojtja e vlerave të tyre kombëtare”, Uran Butka “Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri”, Ekrem Kryeziu “Globalizmi dhe shoqëria shqiptare”, Aleksandër Çipa “Mediet dhe sfidat shqiptare”, Sabri Maxhuni “Drejt shtetit kombëtar”, Ibrahim Gashi “Unifikimi i teksteve shkollore”, dhe Hysen Matoshi “Histori dhe kombi”.

Organizatorët e manifestimit me rastin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit kanë paralajmëruar se sot Prizreni do të veshet në petkun kuq e zi.

Në këtë ditë, edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka paralajmëruar vizita nëpër Kosovë.

Jahjaga fillon vizitat me nderimet në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe viziton familjen Jashari, pastaj do të bëjë nderime në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gllogjan dhe në fund viziton Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë përvjetor, edhe Rrjeti i Organizatave Shqiptare organizon aktivitete të cilat do të mbahen në Prizren.

Ky rrjet ka paralajmëruar stolisjen e qytetit të Prizrenit me flamuj shqiptar, duke veçuar se do të vendoset një flamur i madh shqiptar në kalanë e Prizrenit, kurse parashihet edhe defilim i motoristave me flamuj kombëtarë, lëshim me parashutë me posterin “Lidhja është gjallë”, dhe aktivitete tjera.

Lidhja e Prizrenit njihet si datë me rëndësi tek shqiptarët, por këtë vit duket të ketë një mobilizim më të madh për manifestime sesa viteve tjera.

Nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 – 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren, më 10 qershor 1878.

Sipas të dhënave historike, qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit, dhe Janinës.

Lidhja njihet si përpjekja e parë e madhe për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë.