Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 08:23

Prishtinë – Zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi, dje pas mbledhjes së Qeverisë, akuzoi të mërkurën kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, i cili sipas zëvendëskryeministrit, mospunën e vet po mundohet ta mbulojë me akuzat në drejtim të Qeverisë, raporton Telegrafi.

Kuçi në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se nëse kreu i Prishtinës, njëherësh kryetar edhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka informacione të veprimeve të paligjshme të ekzekutivit, ai duhet t’i dërgoj në Prokurori dhe Gjykata.

Zëvendëskryeministri e ftoi kreun e LDK-së në një debat televiziv dhe aty sipas tij, të hapen të gjitha çështjet.

Në këtë konferencë, Kuçi tha se raportet ndërkombëtare për Kosovën të bëra publike këto ditë, qeveria i merr shumë seriozisht dhe i shqyrton me qëllim përmirësimin e vërejtjeve të bëra.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate pati akuzuar Qeverinë se nuk po bën asgjë tjetër, përveçse po financon strukturat e SHIK-ut.