Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 12:37

Prishtinë – Një delegacion i Manastirit të Deçanit është pritur në vizitë në ambientet e komunës nga kryetari i saj, Rasim Selmanaj për herë të parë që nga lufta në Kosovë, para 12 vjetësh.

“Manastiri, komuna dhe ky popull jetojnë me shekuj së bashku. Manastiri i Deçanit është njëri prej monumenteve të ruajtura më së miri në Kosovë dhe gjithë Ballkanin dhe si i tillë, ai tregon se njerëzit këtu mund të jetojnë së bashku”, tha igumeni i Manastirit të Deçanit, at Sava Janjiq, gjatë takimit me kryetarin e komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, bëri të ditur shtypi i sotëm kosovar.

Njoftohet se takimi është ndërmjetësuar nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Sverre Johan Kvale dhe se në deklarimin për media pas takimit, palët kanë rënë dakord të bashkëpunojnë.

“Të gjitha palët kanë shprehur vullnetin e tyre për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet mes komunës dhe manastirit, në frymë të paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, për të mirën e qytetarëve të Deçanit”, citon shtypi, komunikatën për media të ambasadës norvegjeze.