Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 18:57

Prishtinë – Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Klif ka thënë se zgjidhja e situatës në veri të Kosovës kërkon angazhim të përbashkët, ngase nuk mundet një vend i huaj ta zgjidhë problemin e veriut të Kosovës.

“Duhet që të jemi shumë kreativ dhe të punojmë në një strategji të përbashkët për t’iu qasur problemeve në veri”, ka thënë Klif gjatë intervistës së dhënë në RTV21.

I pyetur se cili është qëndrimi i Britanisë së Madhe rreth ndarjes së Kosovës ose shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Klif ka thënë se kjo është ide e keqe.

“Duke folur nga përvoja ime në Bosnjë dhe Hercegovinë unë e di pse kjo është një ide e keqe. Kur sekretari ynë i jashtëm ishte për vizitë këtu, e tha shumë qartë se komuniteti ndërkombëtar ka rivizatuar kufijtë e Ballkanit vazhdimisht për 130 vjet të tëra dhe koha për këto gjëra tashmë ka kaluar. Ne duhet të punojmë me kufijtë aktual. Dhe, nëse shikohet situata në rajon, shihet qartë pse ndarja nuk është ide e mirë dhe pse mund të prodhojë probleme të tjera”, ka thënë Klif.

Lidhur me idenë e këmbimit të pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës, Klif ka thënë se dyshon se Kosova dhe Serbia do të merren vesh për këtë punë.

“Ajo që po thoni ju, është tentim për krijim të shteteve etnike në Ballkan dhe sido që i rishkruani kufijtë një minoritet do të mbetet në njërin vend të caktuar. Siç e thashë edhe më parë një ide e këtillë mund të nisë probleme të shumta në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni dhe në shumë vende të tjera”, ka thënë ambasadori britanik.

Sipas tij, Kosova është e pavarur dhe nuk është pjesë e Serbisë, por nuk është as pjesë e Shqipërisë.