Lajme Shqip e Mërkurë, 04 Korrik 2012 12:29

Prishtinë – Sipas gazetës Koha Ditore, shtetet mbikëqyrëse të pavarësisë së Kosovës i kanë vënë kusht Qeverisë paprekshmërinë e EULEX-it, në mënyrë që të përfundojë mbikëqyrja. Kërkesa e ndërkombëtarëve, sipas burimeve të gazetës, është në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, mandati i EULEX-it të futet në aktin më të lartë juridik të vendit.

Për çdo ndryshim të Kushtetutës së Kosovës nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve shqiptarë, por po aq vota edhe të deputetëve të komuniteteve pakicë në Kosovë. Në këtë mënyrë, largim i EULEX-it që do të kishte mandat me Kushtetutë do të mund të arrihej vetëm nëse për një gjë të tillë do të pajtoheshin shumica e komuniteteve të tjera pakicë, serbë, turq, boshnjakë dhe të komuniteteve RAE.

Një zyrtar i lartë evropian i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se përmendja e EULEX-it vetëm në ftesën e institucioneve të Kosovës dhe në Planin e Përbashkët të Veprimit të BE-së nuk është bazë e mjaftueshme ligjore që EULEX-i të vazhdojë punën pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. (LajmeShqip.com)