|
|
e Mërkurë, 18 Korrik 2012 17:58 Prishtinë -Kuvendi i Kosovës gjatë periudhës janar-qershor 2012 është karakterizuar nga një dinamikë jo shumë e lartë në implementimin e planit legjislativ të punës, vlerësoi Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në raportin e prezantuar sot në një konferencë shtypi.
Sipas drejtorit ekzekutiv në KDI, Ismet Kryeziu, “Kuvendi i Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet më pak përfaqësues, duke injoruar dhe mos përfillur kërkesat dhe rekomandimet e qytetarëve, shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit për disa nga ligjet tashmë të miratuara¸ si projektligji për banka, institucionet mikro-financiare dhe institucionet financiare jo bankare, projekt-Kodi Penal, projektligji për fshatin Hoçë e Madhe dhe projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit”.
Kryeziu, po ashtu, ngriti shqetësimin e KDI-së edhe mbi “rolin tejet të dobët të mbikëqyrjes parlamentare ndaj qeverisë”, ndërsa shtoi se “si shqetësues në këtë raport është evidentuar edhe gjuha e ashpër parlamentare”. (LajmeShqip.com)