Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 15:00

Prishtinë – Miratimi vetëm i një ligji gjatë muajit maj në Kuvendin e Kosovës, votimi i disa deputetëve kundër shtrirjes së autoritetit të qeverisë në veri të vendit, si dhe përbërja gjinore e Kryesisë së Kuvendit, kanë qenë shqetësimet që Instituti Demokratik i Kosovës i ka prezantuar të enjten në një konferencë, ku u publikua raporti i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës gjatë muajit maj.

Driton Selmani, nga ky institut, ka thënë se Kuvendi i Kosovës gjatë muajit maj ka mbajtur gjashtë seanca plenare, prej tyre pesë të rregullta dhe një të jashtëzakonshme, të cilat nuk kanë arritur të kenë cilësinë e duhur.

Shqetësim tjetër për KDI-në sipas Selmanit është edhe seanca e 5 majit e thirrur nga Vetëvendosja, që kishte të bënte me bisedimet Kosovë – Serbi, që në pikën dy të mocionit të propozuar po nga kjo parti, theksohej shtrirja e autoritetit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, pikë në të cilën 17 deputetë votuan kundër, ndër ta edhe deputetë të cilët kanë pasur qasje ndryshe për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës.

Ai ka thënë se kryesia e Kuvendit përbën një “klub meshkujsh”, për shkak të mos pjesëmarrjes së femrave në të, dhe sipas Selmanit kjo bie ndesh me rregulloren e Kuvendit sa i përket përfaqësimit gjinor në kryesi.

Parregullsitë tjera që po e përshkojnë punën e legjislativit e që vazhdimisht po ngritën nga KDI, janë edhe mbyllja e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit për monitoruesit e organizatave vendore, mos respektimi i nenit 12 të Rregullores për përfaqësimin gjinor në trupat e Kuvendit, qasja e vështirësuar në dokumentet zyrtare, etj.