Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 06:15

Prishtinë – Pashkët e katërta në Kosovën e pavarur festohen për herë të parë në katedralen “Nënë Tereza”, të përuruar vitin e kaluar në 100-vjetorin e shenjtërimit të nobelistes shqiptare.

Mbrëmë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në pritjen solemne me rastin e festës së Pashkëve, në rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

“Erdha këtu në Katedralen ‘Nënë Tereza’ që Ipeshkvit të Kosovës, Kishës Katolike dhe të gjithë besimtarëve të krishterë t’ju uroj Pashkët, këtë festë më të madhe të krishterimit”, tha ajo.

Presidentja Jahjaga u prit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Në fjalën e tij në ceremoninë solemne Imzot Gjergji tha se kjo është hera e parë që një Presidente femër uron Pashkët në një katedrale katolike.

Ndezja e qiriut të Pashkëve shënoi mbrëmë fillimin e Meshës së Ringjalljes në Katedralen e së Lumes Nënë Tereza, të cilën e udhëhoqi ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Festën e Pashkëve e kanë uruar drejtuesit më të lartë institucionalë, politikë dhe fetarë të Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se kjo festë e gjen Republikën e Kosovës “duke vazhduar përkushtimet dhe vizionin tonë të përbashkët për implementimin e të gjitha kritereve dhe standardeve demokratike për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”.