Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 07:53

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Lituani për të marrë pjesë në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”, pati sot një takim me zonjën Melanne Verveer, ambasadore në Departamentin Amerikan të Shtetit për çështjet globale të grave.

Në bisedën zyrtare u diskutua për konferencën e nesërme dhe për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e sidomos në rajon.

Zonja Verveer theksoi parimin se asnjë vend nuk mund të ketë zhvillim nëse nuk ka zhvillim të pozitës së femrës dhe nëse femra nuk e luan rolin e saj të barabartë në shoqëri, duke theksuar rolin e femrës në botë dhe në veçanti rolin e saj në zhvillimin ekonomik e social të shoqërisë. Ajo tha se shembulli i zgjedhjes së Presidentes së Kosovës do të duhej të shërbente edhe për institucionet e tjera të vendeve ku femrat duhet të kenë përfaqësim dhe rol më të madh në lidership.

Zonja Verveer përmendi angazhimin e saj dhe të Qeverisë amerikane në vitet e luftës në Kosovë, duke theksuar fuqinë e femrës kosovare në kohërat e rënda në të cilat ka kaluar vendi.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se ndihma e SHBA për Kosovën ka qenë dhe mbetet e pazëvendësueshme dhe ajo vazhdon të jetë qenësore, sepse Kosova ka vullnet, ka njerëz të përkushtuar, ka potenciale për të ecur përpara, duke pasur një popullatë shumë të re dhe të orientuar fuqishëm për integrimet euroatlantike.

Duke theksuar se zëri i femrës udhëheqëse në Kosovë është i rëndësishëm, Presidentja Jahjaga theksoi idenë e organizimit të një konference ndërkombëtare të grave lidere të rajonit dhe të vendeve në zhvillim, e cila në fillim të vitit të ardhshëm do të mbahej në Prishtinë, si formë e një bashkëpunimi konkret e të përhershëm.