Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 17:29

Prishtinë – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Ilir Dugolli, është akredituar ambasador jo rezident në Luksemburg.

Ministria e Punëve të Jashtme e Luksemburgut, përmes një note verbale, e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës me këtë vendim të Qeverisë së Luksemburgut.

Sipas këtij vendimi, ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Ilir Dugolli, është akredituar si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Luksemburg, me rezidencë në Mbretërinë e Belgjikës.

Akreditimi i ambasadorit Dugolli në Luksemburg, është një hap i rëndësishëm në vazhdën e përpjekjeve të shtetit të Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral me shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.