Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 18:04

Prishtinë – Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) njoftoi sot se do të ristrukturojë praninë e saj në rajonet e Kosovës, me vendimin për mbylljen e zyrave rajonale në Pejë, Prizren, Gjilan dhe Prishtinë, më 1 shtator 2011.

Njësia për Çështje të Komunitetit që ndodhet në zyrën qendrore të ICO në Prishtinë do të riorganizohet për të marrë përsipër monitorimin e zhvillimeve në këto rajone dhe për te mundësuar ICO që të ketë kapacitetin për të ndërhyrë në nivelin lokal nëse është e nevojshme. Ndërkohë, Zyra e ICO-së në Mitrovicë do ta vazhdojë punën e saj, duke përfshirë edhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut.

“Mbyllja e zyrave rajonale është një hap i natyrshëm, por kjo nuk do të thotë se ICO nuk do të ketë më interes në komuna”, tha zv. përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Christopher Rowan, i cili shtoi se “puna e Njësisë sonë për Çështje të Komunitetit do të riorientohet drejt përfundimit të detyrave që na mbeten me institucionet e nivelit qendror dhe lokal dhe struktura e zyrës qendrore do të përshtatet ashtu si është e nevojshme”.