Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 14:51

Prishtinë – Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime me përfaqësues të partive politike dhe diplomatë të lartë të shtetit gjerman, me ç’rast ka marrë mbështetjen e tyre për procesin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet, të cilat ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë.

Ministri Hoxhaj është takuar me zëvendëspresidentin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Gernot Erler, i cili ka ofruar përkrahjen e plotë për zhvillimet në Kosovë, duke përfshirë procesin e brendshëm të shtetndërtimit, por edhe proceset tjera

Edhe Andreas Schockenhoff, nga Unioni Kristian Demokratik i Gjermanisë ministri Hoxhaj ka marrë përkrahjen e partisë në pushtet në Gjermani, për proceset me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pasur një drekë punë edhe me Nikolaus Graf Lambsdorf, i ngarkuar special për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Bëhet e ditur se në këtë takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes diplomacive të dy shteteve dhe për përkrahjen që diplomacia gjermane pritet t’i japë Kosovës në proceset ndërkombëtare.

Ministri Enver Hoxhaj, gjatë takimeve ka falënderuar Republikën Federale të Gjermanisë, institucionet dhe popullin e saj, për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Kosovës për dekada të tëra, e veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë.

Zyra për informim e MPJ-së bëri të ditur se gjatë ditës, ministri Hoxhaj do të marrë pjesë edhe në Seancën Plenare të Bundestagut gjerman, ku është planifikuar të votohet vazhdimi i mandatit të trupave të Bundestagut në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

Ndërkaq, nesër në ditën e dytë të vizitës, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, do të ketë takim me Ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Ëesterëelle.