Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 17:43

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Mal të Zi nënshkroi sot tre marrëveshje ndërshtetërore bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Integrimeve Evropiane të Republikës së Malit të Zi, Milan Roçen.

MPJ kosovare bëri të ditur se, Ministri Hoxhaj dhe Ministri Roçen nënshkruan marrëveshjen për ripranimin e personave që janë pa leje qëndrimi, marrëveshjen për regjistrimin e mëvonshëm të personave të zhvendosur nga Kosova me qëndrim në Mal të Zi, në regjistrat themeltarë dhe në regjistrin e shtetasve të Republikës së Kosovës si dhe marrëveshjen për ripranimin e personave, hyrja dhe qëndrimi i të cilëve është joligjor.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është konsideruar një hap drejt përmbushjes së kritereve integruese evropiane dhe tregues i faktit se dy shtetet tashmë janë të gatshme për përmbylljen e procedurave integruese në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, do të udhëtojë në Lituani, ku do t’i bashkëngjitet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron në një vizitë zyrtare në këtë shtet. Ministri Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Lituani, do të zhvilloj takime të shumta me ministrat e Punëve të Jashtme të Evropës dhe shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.