Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 21:14

Prishtinë – “Diplomacia gjermane do të angazhohet fuqishëm në përkrahjen e diplomacisë kosovare, në përpjekjet për të shtuar numrin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare”, tha sot Ministri Federal i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, pas një takimi në Berlin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Përshëndesim njohjen që ka ardhur dy ditë më parë nga Principata e Andorrës dhe ftojmë të gjitha shtetet që ta njohin Republikën e Kosovës”, është shprehur ministri i Jashtëm gjerman, bëhet e ditur në një njoftim të

MPJ-së kosovare.

Westerwelle, po ashtu, ka thënë se Gjermania do të ndikojë te të pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që sa më parë të marrin një vendim të tillë dhe se Gjermania do ta ndihmojë Kosovën edhe sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Ministri Federal i Punëve të Jashtme ka shprehur përkrahjen e palëkundur të Gjermanisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Ne jemi të bindur se harta gjeografike e Ballkanit është e përfunduar dhe se Kosova dhe rajoni ka një të ardhme evropiane. Ne do të përkrahim fuqishëm procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimin e Kosovës në BE.

Evropa në këtë formë, po e mban fjalën se të gjitha shtetet e Ballkanit kanë perspektivë evropiane”, tha Westerwelle.

Ai ka shprehur përkrahje edhe për reformat që po zhvillohen në Kosovë dhe ka premtuar ndihmën e Gjermanisë sa i përket zhvillimit ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe proceset e tjera në Kosovë.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar Ministrin Westerwelle për qëndrimet e qarta mbështetëse rreth të gjitha proceseve në Kosovë, veçanërisht rreth perspektivës evropiane të shtetit të Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se adresa e parë politike në Evropë për Kosovën dhe qytetarët e saj është Berlini. “Kosova është e përkushtuar që të forcojë partneritetin strategjik me Gjermaninë, pasi Gjermania dhe populli i saj në çdo kohë, në çdo rrethanë, e kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin popullin dhe shtetin e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ai ka kërkuar ndihmën e diplomacisë gjermane në përmbylljen e suksesshme të procesit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Rreth proceseve integruese të Kosovës, Hoxhaj u shpreh se shteti dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane.

“Kosova dhe kosovarët nuk mund të vazhdojnë të jenë shteti dhe populli më i izoluar në Ballkan”, tha Hoxhaj, duke kërkuar ndihmën e Gjermanisë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe proceset tjera integrues të Kosovës në BE.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe ministri Westerwelle, nënshkruan një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit mes dy diplomacive.

Të premten, Ministri Hoxhaj ka takuar edhe këshilltarin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dr. Christoph Heusgen.

Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka marrë përgëzime për progresin që po shënohet në Kosovë dhe për reformat që po implementohen nga institucionet kosovare. Po ashtu, Heusgen ka shprehur përkrahje të plotë për Kosovën dhe sfidat e saj në rrugën e konsolidimit të shtetësisë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimet euroatlantike.

Ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe një takim pune dhe ka mbajtur një fjalë rasti në Fondacionin “Körber-Stiftung”, para shumë diplomatëve dhe përfaqësuesve politikë gjermanë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka zhvilluar një takim edhe me Tom Koenigs, përfaqësues i Partisë së të Gjelbërve të Gjermanisë. Në këtë takim, Hoxhaj ka marrë mbështetjen e kësaj partie me influencë në politikën gjermane, për proceset në Kosovë dhe zhvillimet integruese ndërkombëtare të saj.

Të enjten pasdite, Ministri Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në Seancën Plenare të Bundestagut gjerman, ku është aprovuar vazhdimi i mandatit të trupave të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Udhëheqësi i seancës ka përshëndetur praninë e Ministrit Hoxhaj, prezencë e cila është

përshëndetur edhe nga deputetët e Bundestagut.