Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 13:21

Prishtinë – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj vazhdon sot vizitën e tij zyrtare në Gjermani, të fillur që nga dita e enjte. Hoxhaj do të kërkojë nga homologu i tij gjerman Guide Vestervelle, përkrahjen e Gjermanisë për njohje të reja të shtetit të Kosovës. Ai tha se diplomacia gjermane mund të bëjë më shumë në këtë drejtim.

“Republika e Kosovës shumë njohje që ka siguruar, ka ndodhë falë mbështetjes së partnerëve tanë strategjik dhe Berlini është një adresë e rëndësishme në një proces të tillë. Edhe në të kaluarën ka ndikuar fuqishëm dhe gjatë vizitës unë do të kërkoj nga miqtë dhe zyrtarët tjerë gjermanë që ta mbështesin procesin e integrimeve evropiane në Republikën e Kosovë”, tha ministri Hoxhaj.

Në cilësinë e Ministrit të jashtëm, Hoxhaj u takua mbrëmë edhe me deputetë të Bundestagut gjerman, me të cilët bisedoi për thellimin e mardhënjëve të dyanshme mes Kosovës me Gjermaninë sidomos në lëmin e ekonomisë, tregtisë, arsimit dhe kulturës. Ministri Hoxhaj tha se Qeveria, me qëllim të shtimit të efikasitetit të diplomacisë kosovare, po bën përpjekje për hapjen e ambasadave të reja në pjesë të ndryshme të botës, të cilat do të kenë karakter rajonal. Ai tha po ashtu se sëshpejti do të ketë një rotacion të ambasadorëve.