|
|
e Enjëte, 26 Korrik 2012 12:15 Prishtinë (PLOTESUAR 26 korrik, 15:39)- Kosova ishte gjaku i tij që nuk falet. Në varrezat e Prishtinës, u varros poeti dhe akademiku Ali Podrimja, vepra e të cilit nuk do të vdesë kurrë. Në emër të Akademisë së Shkencave, Ali Aliu, tha se populli që lind poetë të mëdhenj si Ali Podrimja, është popull me fat. Në emër të familjes, nipi i Ali Podrimjes, Genti, kujtoi kohët e bukura që kanë kaluar me gjyshin.
Ndërkohë, për dy orë, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, janë bërë homazhet në nderim të jetës dhe veprës së poetit dhe akademikut Ali Podrimja. Personalitete të jetës politike, akademike, dhe qytetarë të shumtë e cilësuan humbjen e tij, një humbje të madhe të letërsisë dhe kombit shqiptar. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se poeti i letrave shqipe, që gjithë jetën i këndoi vendit dhe popullit të tij, është një udhërrëfyes për brezat që shkruajnë poezi.
Ministri i Kulturës së Shqipërisë Aldo Bumqi, tha se me këtë humbje kemi humbur ikonën e shenjtë të poezizë dhe kulturës shqiptare. Ali Podrimja lindi me 1942 në Gjakovë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku dhe ka jetuar. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve, Dhimbë e bukur, Sampo, etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi më 1982, që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Ali Podrimja ndërroi jetë në Francë, i cili po merrte pjesë në një festival të poezisë. Autoritetet franceze kanë njoftuar se poeti Podrimja pati një vdekje të natyrshme. (LajmeShqip.com)
***********************************************
Prishtinë- Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga ora 12 kanë filluar homazhe për poetin Ali Podrimja. Përveç atyre me të cilët u shoqërua e bashkëpunoi, përveç miqve të fjalës së tij poetike, homazhe bënë edhe zyrtarë më të lartë vendit, të të gjitha institucioneve, të shoqatave dhe konfesioneve fetare. Ishin edhe shumë bashkëqytetarë të fëmijërisë së tij nga qyteti i lindjes, Gjakova, si dhe nga të gjitha qytetet e Kosovës.
Ata përveç nderimit me përkulje para arkivolit me trupin e pajetë të poetit kombëtar të madh, ngushëllonin edhe familjen. Heshtja mortore thyhej nga zërat në sfond me vargjet e poetit kushtuar jetës, vdekjes, ngadhënjimit e lirisë, gjeografisë së atdheut nga Mitrovica deri në Çameri, Ulqini e Presheva si dhe diaspora. Ceromonia mortore do të zgjasë deri në orën 14, kur kortezhi do të niset për në varrezat e kryeqytetit, ku do të pushojë përgjithmonë, duke i falë kështu Prishtinës edhe emrin e madh me të cilin do të krenohet. Në orën 14 e 30 ai do të lëshohet në varrezën, shtëpinë e amshimit, për të lënë pas emrin e veprën e madhe që nuk vdes.
Trupi i pajetë i Ali Podrimës arriti në tokën e Kosovës sot pikërisht në 8:35, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nëpërmjet linjës ajrore “Swiss Air”, fluturim ky i nisur nga Zurich-u i Zvicrës për në Kosovë, njoftuan mediet.
Djemtë e të ndjerit Podrimja kishin ndarë misionin e tyre për të atin, pikërisht për ditën e enjte. Në Aeroport e pritën për herë të fundit, këso here në arkivol, djemtë Petriti e Dreni me nënën Fitoren e motrën Donikën dhe nipa e mbesa.
Nën lot po përcillnin me sy arkivolin me trupin e pajetë të Aliut të cilin po e nxirrnin nga aeroporti i Prishtinës për ta futur në makinën për funerale. I mbuluar me flamurin kombëtarë shqiptarë, flamur që iu besua më pas djalit të Aliut, Drenit, arkivoli po përcillej edhe nga akademikët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës: Hivzi Islami, Mehmet Kraja, Rexhep Ismajli e Pajazit Nushi, varrim të cilin edhe e ka organizuar ky institucion i lartë i artit dhe i shkencës, anëtar i së cilës ishte edhe i ndjeri.(LajmeShqip.com)