Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 18:15

Prishtinë – Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, i ka dhënë përgjigje deklaratës së presidentit serb, Boris Tadiq se për ndarje duhet të bisedohet me Shqipërinë. Gordon në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi tha se Serbia duhet t’i harrojë këto ide, pasi për SHBA-në asnjë propozim për ndarje nuk vlen, raportojnë mediat kosovare.

“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë shumë të qartë, çështjen si këto të ndarjes ne nuk i marrim parasysh, pasi këto ide nuk janë në interes të askujt, ato sjellin pasoja rajonale, dhe natyrisht ne jemi të përkushtuar për integritetin territorial të Kosovës. Ne jemi të angazhuar që komunitetet të integrohen pa ridizajnim të kufijve, kjo është e mundur. Ne në Shtetet e Bashkuara kemi qenë shumë të qartë përkitazi me çështjen e ndarjes. Ndarja e Kosovës do të kishte pasoja rajonale dhe do të ishte negative për të gjithë rajonin” tha Gordon, i cili ka arritur sot në Kosovë, ku është takuar me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Gordon është prononcuar edhe për dialogun teknik mes Prishtinës e Beogradit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë inkurajuar të dy vendet që të gjejnë zgjidhjet për çështjet teknike dhe praktike. Nuk është e jona t’u themi si të veprojnë, por ne mendojmë se ato duhet të pajtohen dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet vetë”, është shprehur Gordon.

Ndihmës sekretari i shtetit për Evropë dhe Euroazi, ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht mbështetjen e SHBA-ve për demokracinë në Kosovë dhe për pavarësinë e saj. Ai ka nënvizuar se SHBA-ja don ta shohë Kosovën si një vend demokratik dhe vend ku sundon ligji.

Takimet e Gordonit me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës u mbajtën prapa dyerve të mbyllura. Gjatë qëndrimit të sotëm në Prishtinë, ai ka nënshkruar edhe Marrëveshjen për Mirëkuptim me Kosovën, për të cilën tha se është një dëshmi më shumë e bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve, në këtë rast të bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Kosovës në fushën e arsimit.

Sipas Memorandumit të mirëkuptimit, SHBA-ja do të ndihmojnë Kosovën me 9,7 milionë dollarë në fushën e arsimit.

Zyrtari i lartë amerikan u pyet edhe për Task Forcën e krijuar nga Bashkimi Evropian për t’i hetuar akuzat për trafikim organesh në Kosovë. Ai me këtë rast potencoi se SHBA-ja “mirëpret krijimin e këtij grupi, dhe, sipas tij, e vërteta për këtë çështje duhet të zbardhet”.

“Ne kemi qartësuar se i marrim shumë seriozisht pohimet e Martit dhe kemi kërkuar hetime të plota. Roli i SHBA-së në ndonjë hetim nuk është precizuar ende, sepse Task Forca sapo është krijuar, por ne besojmë në kapacitetet e EULEX-it. Pavarësisht se kush është viktimë faktet duhet të dihen dhe të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë në hetime. EULEX-i është i përshtatshëm për t’i bërë këto hetime. Hetimet për krime lufte janë gjithmonë serioze dhe ato duhet të shkojnë deri në fund, drejtësia duhet të arrihet dhe të dilet me fakte. Ne mbështesim dhe i inkurajojmë shtetet qe të bashkëpunojnë në procesin e hetimit kur ai të fillojë”, potencoi Gordon.

Siç është bërë e ditur edhe më parë, Gordon ndodhet në Ballkan që nga e hëna. Ai ka vizituar Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë, kurse pas Kosovës ai do të vizitojë edhe Kroacinë.