Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 13:37

Prishtinë – Përfaqësuesi special i misionit evropian në Kosovë, Fernando Gjentilini ka deklaruar për RTK-në se bisedimet Kosove-Serbi janë transparente dhe kanë për qëllim arritjen e një zgjidhjeje evropiane për të dyja vendet.

“Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje evropiane për të dyja vendet dhe nuk do të jenë në disfavor të asnjërës pale”, tha përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Fernado Gjentilini.

Në një intervistë për RTK-në, Gjentilini tha se dialogu mes dy palëve ka për qëllim mënjanimin e pengesave ndërmjet të dyja vendeve.

“Mendoj se të gjithë dijnë për çështjet për të cilat po flasim dhe këto bisedime janë shumë transparente . Ne po bisedojme për gjerat që do të permirësojne jetën e njerzeve për shembull liria e lëvizjes. Njerëzit do të ndiheshin mirë nëse udhëojnë me dokumente të tyre dhe nëse vozisin me leje të tyre të vozitjes”, tha Gjentilini.

Gjentilini nuk ka pohuar nëse veriu i Mitrovicës mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi, por ka thënë se e përkrah misionin e EULEKS-it atje .

Përfaqësuesi i misionit Evropian në Kosovë Fernando Gjentilini tha se Komisioni Evropian nuk po punon me standarde të dyfishta, por, për të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, Kosova duhet të përmbushë edhe disa kritere.