|
|
e Diel, 05 Gusht 2012 16:26 Prishtinë -Prishtina prin në “hartën” e korrupsionit në Kosovë, sipas raportit të publikuar nga Lëvizja Fol “Monitoruesi i Korrupsionit”, në të cilin përfshihen të gjitha aktivitetet e ndërmarra institucionale në luftë kundër korrupsionit për periudhën gjashtëmujore janar-qershor 2012.
Në gjetjet e këtij raporti rezulton se “shtrirja më e madhe gjeografike e korrupsionit” është në Prishtinë – me 50 akte akuzuese të ngritura nga prokuroritë e vendit, për të vijuar me Pejën me 19 akte akuzuese; Gjilani me 10; Prizreni me 7; Ferizaj me 8; si dhe Gjakova me 4 akte akuzuese.
Ndërkaq, prokuroritë që nuk kanë shënuar rezultat në luftë kundër korrupsionit janë ajo e Qarkut dhe ajo Komunale në Mitrovicë, si dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk kanë ngritur as edhe një akt akuzues të vetëm.
Gjykatat e rregullta komunale të Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore kanë zgjidhur gjithsej 64 lëndë, ndërsa 187 kanë mbetur të pazgjidhura. Në kuadër të këtij raporti, “Fol” ka publikuar dhe statistikat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionin, ku rezulton se policia e Kosovës në gjashtë mujorin e parë të 2012 ka hetuar në total 95 raste, ka arrestuar gjithsej 28 zyrtarë të ndryshëm publikë, ka dërguara 69 raste në prokurori me autorë të identifikuar, 1 rast me autor të panjohur, si dhe 9 raste të tjera me raport të veçantë të prokurorit.
Lëvizja “Fol” vlerëson se ekzekutivi në Kosovë nuk ka demonstruar vullnet për luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e tij në institucionet publike. Nga 180 vendime, të miratuara gjithsej sipas këtij Raporti, vetëm 4 kanë qenë në luftë kundër korrupsionit.Sipas Raportit, as Kuvendi i Kosovës nuk është treguar produktiv në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Nga 29 seanca plenare të mbajtura gjithsej, vetëm në dy prej tyre është diskutuar për luftën kundër korrupsionit. (LajmeShqip.com)