Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 14:18

Prishtinë – Dialogu nuk mund të sjellë aranzhime të veçanta për veriun, ka deklaruar Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean François Fitou.

Në një intervistë sot në shtypin kosovar, i pyetur se “a do të kenë qytetarët serbë në veri të lumit Ibër më shumë të drejta politike sesa serbët në jug të lumit Ibër”, Fitou ka thënë se “njerëzve si në jug, si në veri, nga të gjitha komunitetet duhet t’u jepen të drejta të barabarta. Komunitetet e ndryshme, duhet të kenë aq të drejta deri në pikën që të mos ndihen të kërcënuar në Kosovë, dhe ta ndiejnë Kosovën si të tyren. Unë nuk e mbështes asnjë projekt për më shumë të drejta te një pjesë e më pak te tjetra”. Sipas tij, Pakoja e Ahtisaarit është aranzhimi i vetëm që duhet zbatuar atje.

Ndërsa, në përgjigje të pyetjes nëse dialogu do të sjellë aranzhime të tjera, Fitou ka thënë se “dialogu mund të sjellë marrëveshje për tregtinë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, mund të sjellë marrëveshje për lëvizjen e njerëzve, mund të sjellë marrëveshje të tjera të kësaj natyre që kanë të bëjnë me jetën e përditshme. Mundësia për të bërë biznes nuk u drejtohet vetëm qytetarëve në veri, por të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Ai e përjashton çdo mundësi të statuseve të veçanta ose aranzhimeve të veçanta për veriun, duke u shprehur se “dialogu nuk është për këtë. Dialogu nuk mund të sjellë aranzhime të veçanta për veriun. Në këtë dialog nuk është biseduar dhe nuk bisedohet për këto çështje”.

Ndërsa, lidhur me shtrirjen e autoritetit të Kosovës në Veri ambasadori Fitou ka dhënë se “veriu e meriton që të ketë sundim të ligjit, veriu është pjesë e Kosovës. Qytetarët e veriut meritojnë të mirëpriten në shtetin e Kosovës. E Kosova e meriton që të jetë shtet sovran në kufijtë e vet. Se çfarë aranzhimesh do të kemi pas dhjetë vjetësh nuk e di. Momentalisht është vetëm ai i Ahtisaarit”.