Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 18:24

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka nderuar Ferid Murad, shkencëtar i madh me prejardhje shqiptare, me dekoratën “Qytetar Nderi i Kosovës”, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij fondamental në fushën e mjekësisë dhe për nderin që i bën vepra e tij popullit të Kosovës.

Vendimin për dekorimin e fituesit të Çmimit Nobel, presidentja Jahjaga e mori në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep presidenti i Kosovës.

Murad, pasi përgëzoi presidenten Jahjaga për zgjedhjen në krye të vendit, u shpreh shumë i nderuar me dekoratën e dhënë.

Duke folur për Kosovën, ai tha se është me rëndësi që të ketë arsim cilësor, në mënyrë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht dhe të bëhet konkurruese.

Po ashtu, ai theksoi se është me rëndësi që atyre që shkojnë jashtë për të studiuar t’iu krijohen kushtet për të kontribuar në vendin e vet, sepse secili, në fund, më së shumti ka dëshirë të kontribuojë për atdheun e vet, njofton Zyra e informacionit të Presidencës së Kosovës.