Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 13:56

Prishtinë – Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Nickolay Evtimov Mladenov, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bullgari

 

Prishtinë – Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Nickolay Evtimov Mladenov, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bullgari.

 

Gjatë qëndrimit dyditor në Sofje, Ministri i Jashtëm i Kosovës do të zhvillojë takime me udhëheqësit e institucioneve përfaqësuese dhe qeveritare bullgare, si dhe do të mbajë një ligjëratë në Institutin për Diplomaci në Sofje.

 

Përveç takimit me homologun Mladenov, Ministri Hoxhaj do të takohet me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Tsvetan Tsvetanov si dhe do të zhvillojë një takim me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje në Asamblenë Nacionale të Bullgarisë.

 

Gjatë kësaj vizite, Ministri Hoxhaj do të shprehë angazhimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërshtetëror me Bullgarinë, si dhe do të kërkojë mbështetjen e këtij shteti anëtar të Bashkimit Evropian, për proceset integruese të Kosovës.

 

Ministri Hoxhaj do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të shteteve të tjera të akredituar në Republikën e Bullgarisë, ku do të diskutohet për procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.