Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 15:57

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, niset në një vizitë zyrtare në Greqi, ku, sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, do të ketë takime me përfaqësues të lartë të shtetit, si dhe me përfaqësues të jetës politike, akademike dhe të biznesit grek.

Njoftohet se zv/kryeministrja Tahiri do të zhvillojë një takim të veçantë me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas.

Po ashtu, sipas njoftimit të sapo dhënë, znj. Tahiri do të takohet me përfaqësues të qeverisë të angazhuar për integrime evropiane, me personalitete të rëndësishme të jetës politike, akademike dhe të biznesit si dhe do të zhvillojë edhe një takim të veçantë në institutin për studime evropiane “ELIAMEP”, i cili ishte angazhuar në vazhdimësi për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.

Qëllimi i kësaj vizite është thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, forcimi i perspektivës euroatlantike të rajonit dhe rëndësia e dialogut teknik për paqen dhe stabilitetin e rajonit.