Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 20:28

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, , nënshkruan sot në Prishtinë marrëveshjen për Ripranim mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës në frymën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

Ministri Schvarzenberg vlerësoi progresin e arritur dhe theksoi se mbështetja e Çekisë për Kosovën do të vazhdojë edhe më tutje.

Ndryshe, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Shvarcenberg theksoi sot në Prishtinë, në një takim tjetër, me kryeministrin Hashim Thaçi, se Çekia do të vazhdojë të jetë edhe më aktive në funksion të mbështetjes së procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe të procesit të njohjeve të reja.

Sipas zyrës së shtypit të Qeverisë kosovare, Shvarcenberg njoftoi se së shpejti Çekia do të marrë kryesimin e Forumit të Vishegradit dhe përmes këtij mekanizmi do të ushtrojë ndikimin e vet që shtetet anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejtë.

Po ashtu, zv/kryeministri i Çekisë, Shvarcenberg, u shpreh me tone shumë optimiste lidhur me përmbushjen e kritereve nga ana e institucioneve kosovare në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi kërkoi që Qeveria çeke të ushtrojë ndikimin e vet të rëndësishëm te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë në një periudhë sa më të afërt.

Në takim është diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e Çekisë që edhe ky proces të përshpejtohet.