Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 19:46

Prishtinë – Kosova dhe Bullgaria nënshkruan sot në Sofje dy marrëveshje bashkëpunimi; marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy ministrive të Jashtme  dhe marrëveshjen për transport ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve.

Marrëveshjet janë nënshkruar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Nickolay Evtimov Mladenov.

Gjatë takimit është biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, përkatësisht institucioneve dhe qytetarëve të të dyja vendeve.

Sipas burimeve zyrtare të MPJ-së kosovare, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Bullgarisë, Nickolay Mladenov, ka thënë se Bullgaria mbështet integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Ai ka shtuar se Qeveria bullgare do të vazhdojë të përkrahë forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e saj në nisma rajonale dhe do të ndihmojë fuqishëm në procesin e liberalizimit të vizave.

“Ne do t’i ofrojmë autoriteteve kosovare ekspertizën tonë për këtë proces. Do të kemi një plan të përbashkët në nivel të ambasadorëve për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Të kemi një axhendë të përbashkët dhe të shkurtojmë rrugën e Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Bullgarisë,  Mladenov.

Hoxhaj ka thënë se ka marrë përkrahje të fuqishme nga shteti bullgar për perspektiven evropiane të Republikës së Kosovës.

“Ne do të marrim përvojën e Qeverisë së Bullgarisë, në mënyrë që rruga jonë drejt BE-së të jetë më e lehtë dhe më e shkurtër”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj është takuar dhe me Zv/kryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve te Brendshme të Bullgarisë, Tsvetan Tsvetanov, pas takimit me të cilin është arritur pajtimi që në një të ardhme shumë të shkurtër të nënshkruhen edhe dy marrëveshje shumë të rëndësishme për dy shtetet.

Nesër, Ministri Hoxhaj, do të ketë takim me Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje në Asamblenë Nacionale të Bullgarisë, ku do të mbajë një ligjëratë në Institutin Diplomatik në Sofje si dhe do të shpërndajë letërnjoftime dhe pasaporta për mërgimtarët kosovarë në Bullgari.