Lajme Shqip e Premte, 11 Maj 2012 10:48

Prishtinë- Komisioni Europian ka përgatitur një draft të pyetësorit për studimin e fiziblitetit, që çon në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në këtë dokument, institucioneve të vendit u kërkohet të japin shpjegime të detajuara për gjithçka.

Pyetësori i Komisionit Europian për studimin e fizibilitetit për Kosovën, është një rëntgen i detajuar, ku institucionet e Kosovës do të duhet të zbulojnë ndoshta edhe ato që nuk kanë dëshirë.

Marrë parasysh volumin e madh të pyetjeve dhe kërkesave që Komisioni Europian u drejton institucioneve të Kosovës, ato do të kenë një punë të lodhshme në ofrimin e përgjigjeve të detajuara për secilën kërkesë. Skanimi që BE synon t’i bëjë Kosovës para se të propozojë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përfshin shumë fusha.

Komisioni Europian kërkon të dijë më shumë rreth kornizës së legjislacionit dhe politikave, kornizës institucionale, zbatimit praktik të legjislacionit dhe politikave, funksionimin e institucioneve si dhe një vetëvlerësim se sa afër është Kosova me standardet e BE’së.

Ky pyetësor, me 35 faqe përmban pyetje dhe kërkesa të detajuara, e që është i ndarë në tre kapituj, ka për fokus kriteret politike, kriteret ekonomike dhe aftësinë për të marrë përsipër obligimet që dalin nga MSA. (LajmeShqip.com)