Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 10:52

Prishtinë – Përçarjet e fundit në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës janë si pasojë e interesave individuale, por edhe të atyre politike. Kështu vlerësojnë ish zyrtarë të lartë të BSPK-së.

Mosmarrëveshjet rreth zgjedhjes së kryetarit dhe krijimi i dy fraksioneve të kundërta, rezultoi me ndërprerjen e punimeve të Kongresit më të fundit të BSPK-së. Edhe pse kryetari më i fundit, Haxhi Arifi vazhdon të shkojë në zyre, ai kontestohet nga kundërshtarë, të cilët thonë se ai tashmë është i shkarkuar. Ish koordinatori i BSPK-së, Ukë Bashota, i cili ka dhënë dorëheqje para afro dy vitesh për shkak të pakënaqësisë se si po udhëhiqet sindikata, thotë se këto përçarje janë krijuar nga interesat personale:

“Pagat, gjendja e punëtorëve nuk janë askund, por udhëheqja e BSPK-së, por edhe shumica e degëve e kanë dertin e vet qysh me u pozicionua, me rrejt e me vjedh”, tha Bashota.

Përçarjet nga Kongresi ku zgjidhet kryetari, nuk janë risi. Kështu kishte ndodhur edhe para katër vitesh, kur pas zgjedhjes së Haxhi Arifit, kryetar, oponentët e tij ishin ndarë për të krijuar një sindikatë tjetër. Tash drejtues i kësaj Sindikate, Ali Dragusha pranon se nuk janë interesat e punëtorëve, por interesat personale dhe politike ato që po krijojnë përçarje.

Ndërkohë, të dy kandidatët për kryetar të ri të BSPK-së, si Haxhi Arifi ashtu edhe Ali Shabanaj shprehen të gatshëm për dialogim për të dalë nga situata e krijuar. Pritet të shihet se kush kujt do t’i afrohet.