Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 11:28

Prishtinë – Autoritetet kosovare dhe Komisioni Evropian kanë shqyrtuar progresin e Kosovës që nga muaji nëntor, kur është nxjerrë raporti i fundit i progresit. Pjesëmarrësit e takimit, pjesë e dialogut të rregullt në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asocimit, kanë identifikuar hapat të cilat duhet të ndërmerren nga Kosova për përshtatje të mëtejme me standardet e BE-së.

Sipas komunikatës së përbashkët për shtyp, të sapo dhënë nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, është diskutuar një spektër i gjerë i temave, siç janë zhvillimi makroekonomik i Kosovës, politikat fiskale dhe financiare, privatizimi i ndërmarrjeve publike, sistemi statistikor dhe menaxhimi financiar dhe kontrolli i fondeve publike.

Në fushën e zhvillimit ekonomik, Komisioni mori parasysh pikëpamjen e prezantuar nga Qeveria në lidhje me rritjen e BPV-së, inflacionit, tregut të punës dhe tregtisë. Sa i përket politikave buxhetore, Komisioni theksoi rëndësinë e disiplinës fiskale si parakusht për mjedis stabil makroekonomik dhe investime. Veç kësaj, komisioni theksoi rrezikun që rrethon buxhetin e vitit 2011 dhe financimin e deficitit. Në këtë aspekt, përfaqësuesit e Komisionit kërkuan nga autoritetet të ndërmarrin masa paraprake të konsolidimit.

Autoritetet shpjeguan hollësisht programin ekonomik të miratuar së fundi nga Qeveria dhe planin shoqërues të veprimit. Komisioni theksoi nevojën për prioritizimin dhe radhitjen e masave të ndryshme të parapara dhe përvijimin e tyre me veprimet në kuadër të Planit të Veprimit të Qeverisë për Partneritet Evropian si dhe me strategjitë e tjera që gjithashtu ndikojnë në aktivitetet ekonomike dhe të punësimit.

Shërbimi i Komisionit mirëpriti regjistrimin e rregullt që është bërë në muajin prill dhe kërkoi nga Kosova të përmirësojë mbledhjen e të dhënave statistikore për qëllime socio-ekonomike, pasi ato janë të domosdoshme për politikbërje.

Në fund, përfaqësuesit e Komisionit theksuan progresin e arritur në lidhje me kontrollin e brendshëm të financave publike. Sfida kryesore pas vendosjes së kornizës politike dhe ligjore mbetet implementimi i duhur dhe i plotë i tyre.

Takimi është bashkëkryesuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare.